Jeta na vë në sfida të cilat, ne, shpeshherë, jemi të dobët për t’i përballuar. Por, pavarsisht përpjekjeve të gjithsecilit, disa njerëz janë munduar të sfidojnë, jo vetëm fatin, por shkencën, shoqërinë etj. Dikush që jeta e ka përballur me një sëmundje të një të afërmi të tij të dashur, e ka detyruar të vazhdojë një shkollë mjekësie, me qëllim, jo vetëm që të përkujdeset sa më mirë, por dhe të sfidojë shkencën duke u përpjekur të zbulojë mënyra të reja kurimi. Dikush tjetër është bërë jurist, gjyqtar, me qëllim për të vënë drejtësi në një çështje që u është bërë padrejtësi etj. Këta njerëz fshinë lotët, pushuan ankesat dhe morën në dorë çelësin e fatit të tyre. Këta janë heronjtë e kohëve të vështira.
Kam qenë e vogël kur u përmbys regjimi dhe erdhi demokracia. Isha rritur në një familje ku komunizmi ishte bërë pjesë e jetës, si te shumica e familjeve, por unë, si e re, nuk kisha lidhje me të, ndaj e mirëprita drmokracinë. I fala votën time të parë. I kam përjetuar me shumë emocion thirrjet pro demokracisë dhe kundër komunizmit, sepse atëherë komunizmi ishte ende prezent, edhe pse muret që na ndanin nga Evropa ligjërisht ishin shëmbur. Demokracia jonë qe shumë infantile, ne ishim si ata fëmijët e vegjël, që sapo lirohen nga dora e nënës, ikin kuturu. Demokracia në vendin tim, edhe pse kanë kaluar 30 vjet, është ende me probleme. Ne sërish ulërasim “poshtë komunistët”, a thua se komunistët kanë bërë pakt me djallin për të rrojtur përjetësisht. Jo, more miq, boll ulëritëm me parrulla boshe. Demokracia nuk vjen vetëm nga 140 e kusur njezëz që ne zgjedhim të na përfaqësojnë, por nga të gjithë ne. Secili duhet të japë kontributin e vet, nuk është demokracia tasë me supë, të cilën ti e kërkon nga kamarieri të ta sjellë në tavolinë. Përpara se të kërkosh llogari, bëji pyetje vetes, se çfarë ke bërë ti për demokracinë. Nëse ti je i gatshëm të vjedhësh votën, ta shesësh, të shantazhosh apo të ngresh banderola antikomuniste, që të dukesh demokrat etj, vetëm që në krye të vijë partia që ti do, ti nuk ke lidhje me demokracinë. Uli dy gishtat e mblidhi bëji grusht. Jepi një grusht asaj jetës tënde boshe, që demokracisë nuk i hyn në punë dhe fillo të japësh kontributin tënd. Është turp që ende ambasadorët amerikanë na mësojnë se si duhet të votojmë. Ndryshimi që duam fillon nga ne, jo nga partitë që na harrojnë sapo mbyllet fushata e mblidhen karriget. Karriget ikin, ne jemi po aty.