Në një kodrinë të mbuluar nga një livadh i praruar ndodhej një shtëpizë e bukur prej druri, e cila rrethohej nga pemë me mollë të kuqe. Aroma e tyre ndihej në ajër dhe ishe e vështirë të mos zgjasje duart dhe të këpusje një mollë dhe ta kafshoje gjithë ëndje. Ishin të shijshme, plot lëng dhe ëmbëlsi. Në shtëpizën mes mollëve jetonte një familje iriqësh, ku lodronin të gëzuar dy iriq të vegjël, të cilët quheshin Ajsi dhe Rei. Çdo ditë, të dy fëmijët mbushin kurrizin me mollët më të mira dhe ua çonin gjyshërve të tyre që jetonin në luginën përtej kodrinës. Gjyshërit u gëzoheshin pamasë nipit dhe mbesës së tyre. Shtëpia e tyre mbushej me zërat e tyre dhe kjo u sillte gëzim. Një ditë fëmijët nuk vajtën te gjyshërit për t’u çuar mollët e tyre dhe ata u bënë merak.
“Çfarë të ketë ndodhur me dy iriqët e vegjël? Mos ishin të sëmurë, apo t’u ketë ndodhur ndonjë gjë rrugës?!”, mendonin gjyshërit e shqetësuar.
-Duhet të nisemi te shtëpia, të shikojmë çfarë ka ndodhur me fëmijët,- tha gjyshja iriqe e shqetësuar. Gjyshi iriqi aprovoi me kokë. Mori shkopin e tij dhe të dy u drejtuan drejt kodrinës. Duke ecur, poshtë luginës, pranë lumit që kalonte aty pranë, u zunë sytë Ajsi, e cila jepte e merrte në bregun e lumit. Shpejtuan hapat dhe mbërritën. Ajsi u gëzua që i pa dhe e shqetësuar iu afrua.
-Çfarë ka ndodhur, Ajsi? Ku është Rei?, pyeti gjyshja.
– Oh, gjyshja ime e mirë! Ishim duke ardhur te ju, si çdo ditë, por rrugës takuam dhelprën bishtkuqe, e cila, na mashtroi përsëri, duke na thënë se, nëse ne do i hidhnim mollët në rrjedhën e lumit, rrjedha do i çontë mollët te bregu ku ndodhet shtëpia juaj dhe ajo do të rrinte aty në pritje për t’i kapur mollët për t’i nxjerrë në breg. Në këtë mënyrë, ne nuk kishim pse mbanim mollët në kurriz e të lodheshim.
– Dhe ju i besuat përsëri, – tha gjyshja e zhgënjyer.
-Na pëlqeu si ide, na u duk si një lojë e bukur, uli kokën Ajsi.
-Dakord, psherëtiu gjyshja, po Rei, ku është? Pse nuk ndodhet këtu me ty?
-Rei është duke kërkuar mollët përgjatë lumit. Unë mbeta mbrapa dhe e humba.
Gjyshërit u shqetësuan. Lumi nuk dukej aq dashamirës atë ditë, ishte i rrëmbyer. Filluan të ecnin të tre përgjatë bregut të lumit. Kur mbërritën pas një kthese, u shfaq Rei. Rei qëndronte para tyre me mollët në kurriz, të cilat ishin bërë gjithë baltë.
Reiiiiii!, bërtitën të tre gjithë gëzim dhe iu afruan iriqit të vogël, i cili ishte bërë flakë i kuq, më i kuq dhe se dhe vetë mollët. Rei u gëzua që i pa, edhe pse qëndronte si në faj pa lëvizur. Ata u përqafuan dhe Rei u tregoi çfarë kishte ndodhur.
Pasi fëmijët mbërritën te vendi ku u tha dhelpra dhe aty, nuk panë as dhelprën dhe as mollët, u shqetësuan. Dhelpra bishtkuqe i kishte mashtruar përsëri. Të dy filluan të kërkonin me shpresë se do e gjenin dhelprën dinake. Nga padurimi, Rei nxitoi dhe e la pas Ajsin. Ai humbi mes bimëve dhe gurëve që ndodheshin në breg të lumit. Në një moment, pranë një shkëmbi, pa dhelprën bishtkuqe e cila qëndronte bashkë me mollët dhe qeshte, duke i rrotulluar mollët sa andej, sa këndej.
-Ha, ha, ha! Iriqët e vegjël janë kaq naivë dhe unë ndihem kaq krenare që gjithmonë do gjej një mënyrë për t’ua hedhur atyre! Sa më argëtojnë!, fliste ajo gjithë qesëndi. Rei, kur dëgjoi këto fjalë u nxeh dhe më shumë. Qëndroi ashtu pas shkëmbit dhe filloi të mendonte ndonjë reng ndaj dhelprës bishtkuqe.
Pasi u mendua një copë herë, i erdhi një ide. Iu afrua dhelprës dhe i tha:
-Oh, dhelpër bishtkuqe, shyqyr që të gjeta! Dhelpra shtangu dhe shpejtoi t’i fshihte mollët.
Ka ndodhur diçka e çuditshme, shtoi iriqi. Mollët që hodhëm në lumë, për çudinë tonë, u pëlqyen shumë nga peshqit dhe kanë dalë në breg aq shumë peshq, sa ti as në ëndërr nuk i ke parë. Unë arrita të mblesh aq shumë peshq, sa nuk po i mbaj dot. Të lutem, eja më ndihmo t’i marrim dhe t’i çojmë në shtëpi. Mund të marrësh dhe ti për veten tënde. Ka aq shumë peshq, do kënaqemi.
Dhelpra zgurdulloi sytë, nuk po kuptonte gjë. Të ishte e vërtetë?! Ajo mollët i kishte me vete, sa mollë kishin qenë të gjitha? Nuk po kujtohej dhe për momentin e hëngri.
-Vetëm të lutem, shko para, sa të gjej dhe Ajsin dhe takohemi te vendi. Dhelpra e hutuar, por dhe e mrekulluar, e besoi dhe u nis. Në moment, pasi dhelpra u zhduk, Rei mori mollët dhe imagjinonte dhelprën dinake kur të shkonte te vendi dhe të mos gjente asgjë. U kënaq me veten e tij që ia kishte hedhur dhelprës dinake këtë herë dhe i premtoi vetes që nuk do e lejonte më ta mashtronte. Duke menduar këto, pa gjyshërit bashkë me motrën që po vinin drejt tij.
Kur dëgjuan historinë, gjyshërit qeshën dhe e përgëzuan Rein për rengun që i kishte bërë dhelprës bishtkuqe, e cila, nuk pushonte së u talluri me të tjerët dhe mbi të gjitha, për mësimin që Rei dhe Ajsi kishin marrë nga kjo histori. Kurrë nuk duhet t’u besojmë personave që nuk i njohim mirë ose na kanë mashtruar dhe herë të tjera.
Të katërt, bashkë me mollët e kuqe, u nisën drejt shtëpisë. Dielli nuk u ishte dukur kaq i ngrohtë dhe bari kaq i gjelbër. Ishte një ditë kaq e bukur!