Vija


Një ditë, jo fort të zakonshme, më tepër  prej asaj që dëgjoi, e jo të ndonjë natyre tjetër, mendjeshkurtri na kuptoi që të gjithë njerëzit na paskëshin vijën e vet të horizontit, ashtu siç kishte e mjedisi ku jetonin. Kurrë s’e kishte ndjerë veten të fort gjeografikisht, por kërshëria e breu të gjente vijën e vet të horizontit. Ku të ishte vallë?  Sipas dikujt, i cili e përcaktoi vijën e tij shumë të ngushtë, i binte të ishte shumë afër. Si nuk e kishte parë ai gjer më atë ditë? Ishte gjë e mirë kjo që ai e kishte afër, apo e keqe? Shumë mendime të mbrapshta përshkruan trurin e tij, ashtu siç nuk kishte bërë kurrë më parë. E përngjasoi vijën e horizontit me vijën ndarëse të tokave në fshat.  Bëri ca llogaritje të thjeshta e nuk i pëlqeu fakti që, nëse vija e tij e horizontit ishte shumë e ngushtë, sa hapësirë toke mund të zinte brenda? Shumë pak, ndërkohë që mendjehapuri, na e paskësh vijën shumë larg dmth, gjithë ajo hapësirë toke. Kjo ishte padrejtësi, kush i kishte përcaktuar këta kufij idiotë? U përpëlit në mendime që nuk e  çuan gjëkundi, dha e mori brenda vetes t’i jepte shpjegim kësaj dileme, megjithatë, në pamundësi për të dalë gjëkundi,  vendosi; do të shkonte vetë të gjente vijën e  tij të horizontit, në mënyrë që ta shtynte më tej.

Ca gjëra duhen vënë në vend vetë se të tjerët, aha, s’duan t’ia dinë për ty, mendoi mendjengushti. Kështu tha, kështu bëri. Si asnjëherë tjetër në jetën e vet, nuk kishte qenë më i vendosur se këtë herë. Fillimisht kërkimet i zhvilloi te gardhi i shtëpisë së vet, se kështu i kishte zënë veshi diçka, kur ai Dikushi, e kishte përcaktuar vijën e tij, jo më larg se gardhi i shtëpisë. E përshkroi gjithë gjatësinë  gardhit të shtëpisë, por nuk vuri re, sikur gjurmën më të vogël që të të përngjasonte me një vijëzim.

Mashtruesi, mendoi me vete. Duhet ta kem më larg, por dikujt i leverdis që unë të gënjehem me kaq pak, që të përfitojë nga pjesa ime. Kështu që, pasi i rrahu këto mendime në mendjen e vet, u nis më tej, përtej gardhit. Eci e eci, vija nuk dukej gjëkundi. Po çuditej që nuk po e gjente. Përderisa vija e tij ishte afër, sa larg mund të ishte? U lodh, u mërzit, por meqenëse i kishte vënë vetes si detyrë që do gjente vijën e vet, gjë për të cilën u ishte mburrur dhe bashkëfshatarëve të vet, se nuk do kthehesh pa mësuar ku ishte vija e tij, ndryshe nga ata, që kjo çështja  vijës as nuk u kishte bërë përshtypjen më të vogël, refuzoi të kthehej. Kaloi male e kodra, fshatra e qytete, iu desh të ndalonte në shumë prej tyre, pasi i duhej herë pas herë të gjente një punë për t’u ushqyer, për të fituar ndonjë lek që të mund të shkonte më tej, iu desh të fitonte e shumë zanate, pasi punët që i ofroheshin ishin të ndryshme, iu desh të lexonte shumë libra, në mënyrë që të gjente ndonjë mënyrë se si mund të gjendesh vija, por, edhe pse u rraskapit shumë, me ditë, me muaj……e tashmë me vite, nuk e gjeti, që nuk e gjeti vijën e vet. I mundur nga kjo rraskapitje e gjatë sfilitse  në kërkim të vijës së vet, mendjengushti u ndje i mundur, i dorëzuar. Mendoi të kthehej. Ndonjëherë njeriu duhet ta pranojë dhe humbjen. Jeta është luftë, por jo të gjithë luftëtarët janë fitues. Mori rrugën e kthimit. Kur e mbërriti në fshat, ndjeu se e kishte marrë malli për vendin e vet, për njerëzit. U habit me veten, se si kishte mundur të rrinte kaq gjatë larg vendit të vet. Pa mjedisin përreth e u mrekullua me çdo që i pa syri, përveç diçkaje, pamjes së disa burrave që po shndëlleheshin në hijen e një peme, pasi kishin tharrë dy shishe, që kushedi ça kishin pasur brenda. Ishte paradite, ishte jonormale të shikonte një pamje të tillë. U afrua pranë burrave, i njohu. U gëzua dhe i përshëndeti i përmalluar. Pasi u përshëndetën, burrat i kërkuan mendjengushtit t’u tregonte atyre gjithçka ai kishte bërë gjatë kësaj kohe. Mendjengushti, ndonëse e pranoi që betejën  kishte humbur, u tregoi gjithë gëzim e krenari burrave, për gjithçka kishte bërë e kishte mësuar gjatë asaj kohe larg tyre. Ndërkohë që ai tregonte pambarim ato që kishte bërë, vuri re që miqtë  tij të vjetër  kishin mbetur shumë mbrapa në kohë. Ata vazhdonin të bënin po atë jetë që bënin, asgjë nuk kishte ndryshuar tek ta. Asgjë e re që ia vlente ta dëgjoje prej tyre. E shumta, e shumta, për çka mundën të flisnin ata, ishte të tregonin ça kishte bërë filani e ça kishte bërë filania. Mendjengushti, për herë të parë, në gjirin e asaj shoqërie, u ndje ngushtë. Miqtë e tij të vjetër, dikur aq të afërt për të, po i dukeshin aq të largët tani. Kjo nuk kishte lidhje me faktin që shumë kohë ishte larg tyre, jo, një tjetër gjë krijonte hendekun mes tyre. Miqtë po i dukeshin aq të cekët, aq sipërfaqësorë, aq …………të ngushtë në gjykim. Të ngushtë? Ky mendim e përshkroi gjithë qenien e vet dhe krejt papritur ai u ftillua rreth asaj çka shumë kohë më parë, ai e shikonte në trajtën e një vije. Oh, vija! Vija ishte ai hendeku që krijohesh mes njërëzve, ai hendeku që i bën njerëzit t’i shikojnë gjërat nga këndvështrime të ndryshme dhe largësi të ndryshme.  Ai përsëri ç’është e vërteta, nuk mund ta shikonte vijën e vet, por atë të shokëve të vet, po. Iu kujtua Dikushi, tani ai Dikushi ishte vetë ai.  Për një moment u ndje “fitues”. Vërtet nuk e kishte gjetur vijën e  vet, por kishte arritur ta shtynte atë. Ishte i sigurtë, që diku,  andej tutje në horizont, vija e tij ishte postuar gjetkë. E ndiente këtë, e treguesi më i mirë i saj ishin miqtë e tij, ngushtësia e të cilëve ishte mjaft e dukshme. Njëriu nuk mund të përcaktojë kufijtë e vet, por, megjithatë mund të dallojë vijën e të tjerëve. Një zë u dëgjua mbrapa tij, ishte Dikushi, i cili po e përshëndeste. I buzëqeshi me dashamirësi. Nuk ia hapi muhabetin  e kufijve, tani e dinte mirë rrugën se si shtyheshin kufijtë.  Dhe, meqënëse e mira dhe dituria nuk ka fund, as kufijtë gjithashtu. Të shtyje kufijtë nuk ishte aq e lehtë saç e kishte menduar më parë. Ndaj, filloi punën për të menduar për kufijtë e rinj, por, ndryshe nga më parë, ata kufijë do i shtynte që aty, me punën dhe përkushtimin e vet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s