Shkatërrohet Finiqi, shkulet bunkeri e gërmohet pa leje


fshatarët që rropaten për bukën e gojës duke thyer bunkerët e Finiqit e kanë kuptuar qartë filozofinë e kësaj pune: Prish, merr, grabit e ik tutje. Në këtë vend nuk e rruan asnjeri.

Auron Tare: Çfarë bëni këtu, more çuna? 

Fshatari: Ja, shkulim bunkerët. 

Auroni: Po kjo është zonë arkeologjike, e dini? 

Fshatari: Po, e dimë. 

Auroni: Kush është drejtor këtu? 

Fshatari: Një drejtor i ri, një Pano Gunari. 

Auroni: Po ai…, ju ka lejuar? 

Fshatari: (nuk di ç’të thotë). 

Auroni: Do ta bëjmë problem tek ministri i Kulturës. 

Fshatari: Ai, i vrarë, nuk e rruan për ministrin e Kulturës. E ka vënë në këtë punë deputeti, Astrit Patozi. Ai dha lejet e gjithë Sarandës dhe nuk e preku njeri. 

Dialogu i mësipërm u zhvillua pikë për pikë pardje, në majën e Akropolit të Finiqit, me disa banorë të zonës të cilët po shkulnin bunkerët e komunizmit. Të rrënuar ekonomikisht, të nxirë nga dielli e të vyshkur nga hallet, me lopata dhe kazma po mundoheshin të shkulnin betonin dhe me varé të nxirrnin hekurin e tyre. Duhet të jesh në vështirësi të madhe që të merresh me këtë punë të rëndë dhe mjaft të lodhshme. Fshatarët e shkretë, të cilët janë të braktisur në hallet e tyre, mundohen të nxjerrin si munden bukën e gojës. Me sa duket edhe duke shkatërruar bunkerët dhe monumentet e kulturës këtu në majë të Finiqit antik.

Por, në kontrast me këta fshatarë të mjerë, janë ata të cilët bukën e gojës e kanë të siguruar nga taksat që ne paguajmë për të mbrojtur trashëgiminë tonë: Burokratët e Ministrisë së Kulturës, të cilët nuk kanë pse bredhin maleve e shkrepave për të shkulur bunkerë, pasi paguhen për të mbrojtur kulturën tonë nga zyrat e ngrohta që kanë. Por qyteti antik i Finiqit, një prej qendrave arkeologjike më të rëndësishme të rajonit, vazhdon të qëndrojë i braktisur dhe i harruar nga këta burokratë sharlatanë. Shteti ynë, që ne të lindurit e vet ka krijuar një Ministri të Kulturës, e cila ka për detyrë të mbrojë Trashëgiminë Kombëtare. Ministria jonë e Kulturës ka edhe një Drejtori Rajonale në Sarandë me nja 13 a 15 punonjës që paguhen për të ruajtur, mbrojtur e promovuar Finiqin dhe gjithë monumentet e tjera përqark. Kjo drejtori, e cila është e mbushur me derdimenë partiakë, me parukiere province dhe me ish-magazinierë ka vite që vetëm vegjeton dhe numëron monumentet që po bien, zonat arkeologjike që po shkatërrohen dhe objektet që po grabiten.

Për vite me radhë i kam i shkruar, i jam ankuar apo i kam telefonuar një tjetër derdimeni partiak që rri në krye të trashëgimisë sonë kulturore. I kam telefonuar për Finiqin që grabitet rregullisht, për Guroren Antike të Butrintit që u rrafshua nga buldozerët, për Tumat e Bajkajt që u zhdukën përfundimisht, për Tempullin e Çukës që u mor për gur, Kishën e Mesopotamit që po rrënohet, për vjedhjet masive të biletave të Butrintit që bënte një miku i tij arkeolog në detyrë, për vjedhjet e anijeve të mbytura për skrap, për shtëpitë karakteristike të Sarandës që prisheshin për pallate e për plot kusure të tjera. Ky personazhi i lartë i trashëgimisë që vetëm qesh në TV, udhëton nëpër konferenca jashtë shtetit për trashëgiminë shqiptare, kap ndonjë lek me projektet nga organizatat e huaja si konsulent, apo Universitetin ku jep leksione të jashtme e fut në projekte restaurimi pasi vetë është Drejtori i Trashëgimisë. Kam një listë të gjatë monumentesh të cilat janë shkatërruar, zhdukur apo dëmtuar gjatë periudhës që ky kokosh i ngrehur drejton Trashëgiminë tonë Kombëtare. Deri më tani ka mbajtur shënim dhe si zakonisht ka qeshur teksa monumente të tëra janë zhdukur nga faqja e dheut. Jo më larg se para dy ditësh, një tjetër grabitje është bërë në Finiq. Në shtëpinë me peristil është gërmuar dhe prishur një zonë e madhe e këtij monumenti dhe me siguri që Drejtori i Trashëgimisë, arkeolog me profesion, rri e bën sehir grabitjen e radhës.

Megjithatë, në majën e Akropolit të Finiqit më bëri përshtypje shumë ndjesia që këta fshatarë hallexhinj kishin për punët e Trashëgimisë. “Nuk e rruan për ministrin” më thanë ata në dialektin jugor, për drejtorin e ri të Monumenteve të Kulturës të Sarandës, njëkohësisht edhe Drejtor i Parkut Arkeologjik të Finiqit. Fshatarët, me zgjuarsinë e tyre e kanë kuptuar qartë situatën. Drejtori i ri është dora e deputetit dhe me sa duket ministri i Kulturës as që ka tagër të merret me emërimet e pozicioneve të Trashëgimisë. Nuk e di nëse ky personazh e pyet shumë ministrin apo jo, por zgjuarsia e fshatarëve depërton përmes asaj që ne si qytetarë të thjeshtë shikojmë në fasadë. Drejtori i ri i Monumenteve apo më saktë ish-Drejtori i Urbanistikës së Sarandës është një zotëri me emrin Pano Gunari. Unë nuk e njoh personalisht këtë zotëri, as nuk kam pasur nevojë ta njoh dhe as më ka lidhur ndonjë gjë me të. Por kushdo që ka sy në ballë e shikon qartë se çfarë batërdie është bërë në Sarandë, me ndërtime pa asnjë plan, kontroll, kriter apo shije estetike profesionale. Zotërisë në fjalë, që ka drejtuar urbanistikën e Sarandës dhe nuk ka lënë në këmbë asnjë një banesë historike për be, tashmë i varen çelësat e 105 monumenteve të Kategorisë së Pare për t’i mbrojtur. Saranda, e cila dikur kishte një mori ndërtesash të mrekullueshme me arkitekturë mesdhetare të ndërtuara në harmoni me peizazhin, është shndërruar në një qytet kaotik, me ndërtesa të cilat i zënë frymën njëra-tjetrës. Një qytet të cilit i është vrarë e ardhmja dhe atentatorët kryesorë të vrasjes së qytetit të Sarandës janë ish-kryetari i Bashkisë, Edmond Gjoka, i cili tashmë është Drejtor i Universitetit të Sarandës dhe ish-shefi i tij i Urbanistikës, drejtori i tanishëm i Monumenteve të Kulturës, Pano Gunari.

As njëri dhe as tjetri nuk janë para drejtësisë për të dhënë llogari për shkatërrimet që i kanë bërë qytetit, por njëri tani edukon brezin e ri dhe tjetri ruan monumentet e Kulturës.

Me sa duket, fshatarët që rropaten për bukën e gojës duke thyer bunkerët e Finiqit e kanë kuptuar qartë filozofinë e kësaj pune:

Prish, merr, grabit e ik tutje. Në këtë vend nuk e rruan asnjeri.

Auron Tare

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

Up ↑

Abner Rossi Blog Ufficiale

Teatro, Poesia, Spettacoli

memyselfandela

"Here is my secret. It is very simple: It is only with the heart that one can see rightly; what is essential is invisible to the eye.."- Antoine de Saint Exupéry

Digital History Blog

STORIA DIGITALE: SAPERE STORICO E INSEGNAMENTO DELLA STORIA

IL MONDO DI ORSOSOGNANTE

L’arte della vita sta nell’imparare a soffrire e nell’imparare a sorridere. H. Hesse

MyourHistory

A topnotch WordPress.com site

Bucket List Publications

Indulge- Travel, Adventure, & New Experiences

Craig Hill Training Services

Business, Management and ESL Trainer

LadyRomp

Inspirational Blog for Women

ArtPlantae

Connecting artists, naturalists, and educators

Teacher as Transformer

Education, Leadership, Life, and Transformation

MyourHistory

Imagination is more important than knowledge-Einstein

The WordPress.com Blog

The latest news on WordPress.com and the WordPress community.